Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
For 10¢ a day you can enjoy StudyLight.org ads
free while helping to build churches and support pastors in Uganda.
Click here to learn more!

Read the Bible

Shqip Bible

Fjalët e urta 25

1 Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës.

2 Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë.3 Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm.

4 Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin.5 Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi.

6 Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj,7 sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart", se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë.

8 Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp.9 Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri,10 me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë.

11 Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.12 Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar.

13 Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij.

14 Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi.

15 Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat.

16 Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh.

17 Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.

18 Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë.

19 Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur.

20 Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën.

21 Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë,22 sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë.

23 Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar.

24 Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.

25 Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur.

26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.

27 Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi.

28 Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile