the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
free while helping to build churches and support pastors in Uganda.
Click here to learn more!
Read the Bible
Shqip Bible
Fjalët e urta 24
1 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,2 sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.
3 Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.4 Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.5 Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.6 Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.
7 Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.8 Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.9 Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.
10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.
11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.12 Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim", ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t'i japë secilit simbas veprave të tij.
13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.
17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.
19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.
21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?
23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë", do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.
27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.
28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t'ia bëj edhe unë; do t'ia kthej simbas sjelljes së tij".
30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s'ka mend;31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.