the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to join the effort!
Read the Bible
Shqip Bible
Zakaria 12
1 Orakulli i fjalës të Zotit lidhur me Izraelin. Kështu thotë Zoti që i ka shpalosur qiejt, që ka hedhur themelet e dheut dhe ka formuar frymën e njeriut përbrenda tij:2 "Ja, unë do ta bëj Jeruzalemin një kupë hutimi për gjithë popujt përreth; ata do të dalin gjithashtu kundër Judës, kur të rrethojnë Jeruzalemin.3 Atë ditë do të ndodhë që unë do ta bëj Jeruzalemin një gur të rëndë për gjithë popujt; të gjithë ata që do të ngarkohen me të do të bëhen krejtësisht copë-copë, edhe sikur të mblidheshin të gjitha kombet e dheut kundër tij.4 Atë ditë", thotë Zoti, "unë do t'i qëlloj me hutim të gjithë kuajt dhe me marrëzi kalorësit e tyre; do t'i hap sytë e mi mbi shtëpinë e Judës, por do të godas me verbim të gjithë kuajt e popujve.5 Krerët e Judës do të thonë në zemër të tyre: "Banorët e Jeruzalemit janë fuqia ime në Zotin e ushtrive, Perëndinë e tyre".6 Atë ditë unë do t'i bëj krerët e Judës si një mangall që digjet në mes të një turre drush, si një pishtar të ndezur midis demeteve. Ata do të gllabërojnë djathtas e majtas gjithë popujt përreth; por Jeruzalemi do të mbetet akoma i banuar, në vendin e vet, në Jeruzalem.7 Zoti do të shpëtojë më parë çadrat e Judës, me qëllim që lavdia e shtëpisë së Davidit dhe lavdia e banorëve të Jeruzalemit të mos rritet më shumë se ajo e Judës.8 Atë ditë Zoti do t'i mbrojë banorët e Jeruzalemit; atë ditë më i dobëti ndër ta do të jetë si Davidi, dhe shtëpia e Davidit do të jetë si Perëndia, si Engjëlli i Zotit përpara tyre.
9 Atë ditë do të ndodhë që unë do të veproj për të shkatërruar të gjitha kombet që do të dalin kundër Jeruzalemit".10 "Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jeruzalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur.11 Atë ditë në Jeruzalem do të ketë pikëllim të madh, i ngjeshëm me pikëllimin Hadad-rimonit në luginën Megido.12 Edhe vendi do të pikëllohet, çdo familje për vete: familja e shtëpisë së Davidit për vete, bashkëshortet e tyre për vete; familja e shtëpisë së Natanit për vete; dhe bashkëshortet e tyre për vete;13 familja e shtëpisë së Levit për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete; familja e Shimejt për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete;14 të gjitha familjet e mbetura secila për vete, dhe bashkëshortet e tyre për vete".