Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
Take your personal ministry to the Next Level by helping StudyLight build churches and supporting pastors in Uganda.
Click here to join the effort!

Read the Bible

Shqip Bible

Ruthi 2

1 Naomi kishte një fis të burrit të saj, një njeri të fuqishëm dhe të pasur, nga familja e Elimelekut, që quhej Boaz.2 Ruthi, Moabitja, i tha Naomit: "Lermë të shkoj nëpër ara e të mbledh kallinj prapa atij në sytë e të cilit do të gjej hir". Ajo iu përgjegj: "Shko, bija ime".3 Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut.

4 Por ja, që Boazi erdhi në Betlehem dhe u tha korrësve: "Zoti qoftë me ju!". Ata iu përgjigjën: "Zoti të bekoftë!".5 Pastaj Boazi i tha shërbëtorit të tij të caktuar të mbikqyrë korrësit: "E kujt është kjo vajzë?".6 Shërbëtori i caktuar të mbikqyrë korrësit u përgjigj: "Éshtë një vajzë moabite, që është kthyer me Naomin nga vendi i Moabit.7 Ajo na tha: "Ju lutem, më lini të mbledh kallinjtë midis demeteve prapa korrësve". Kështu ajo erdhi dhe qëndroi nga mëngjesi deri tani; pushoi vetëm një çast në shtëpi".8 Atëherë Bozai i tha Ruthit: "Dëgjo, bija ime, mos shko në ndonjë arë tjetër për të mbledhur kallinjtë që kanë mbetur, mos u largo që këtej, por rri me shërbëtoret e mia.9 Mbaj sytë në arën që po korrin dhe shko prapa korrësve. A nuk i kam urdhëruar shërbyesit e mi të mos të të bezdisin? Kur ke etje, shko atje ku janë shtambat, për të pirë ujin që kanë nxjerrë shërbëtorët".10 Atëherë Ruthi u shtri përdhe, duke rënë përmbys me fytyrën për tokë dhe i tha: "Për çfarë arësye kam gjetur kaq hir në sytë e tu, sa ti të kujdesesh për mua që jam një e huaj?".11 Boazi iu përgjegj duke thënë: "Më kanë treguar të gjitha ato që ti ke bërë për vjehrrën tënde mbas vdekjes së burrit tënd, dhe si ke lënë atin tënd, nënën tënde dhe vendlindjen tënde, për të jetuar me një popull që nuk e njihje më parë.12 Zoti të shpërbleftë për ato që ke bërë dhe shpërblimi yt të jetë i plotë nga ana e Zotit, Perënedisë së Izraelit, nën krahët e të cilit erdhe të strehohesh!".13 Ajo i tha: "Le të arrij të më shikosh me sy të mirë, o imzot, sepse ti më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores sate, megjithëse unë nuk jam as sa një nga shërbëtoret e tua".14 Në kohën e drekës Boazi i tha: "Eja këtu, ha bukë dhe ngjyeje kafshatën tënde në uthull". Kështu ajo u ul midis korrësve. Boazi i ofroi grurë të pjekur, dhe ajo hëngri sa u ngop dhe vuri mënjanë tepricat.15 Pastaj u ngrit për të vazhduar mbledhjen e kallinjve që kishin mbetur, dhe Boazi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij duke thënë: "Lëreni të vazhdojë të mbledhë kallinjtë edhe midis duajve dhe mos e qortoni;16 përveç kësaj lini që të bien për të kallinj nga dorëza dhe mos i merrni, me qëllim që t'i mbledhë ajo, dhe mos i bërtisni".

17 Pastaj ajo vazhdoi të mbledhë kallinj në arë deri në mbrëmje, pastaj shiu atë që kishte mbledhur dhe siguroi pothuaj një efë elbi.18 E ngarkoi në kurriz, hyri në qytet dhe e vjehrra pa atë që kishte mbledhur. Pastaj Ruthi nxori atë që kishte tepruar nga ushqimi pasi ajo ishte ngopur dhe ia dha.19 E vjehrra e pyeti: "Ku i ke mbledhur kallinjtë sot? Ku ke punuar? Bekuar qoftë ai që tregoi kujdes për ty!". Kështu Ruthi i tregoi së vjehrrës pranë kujt kishte punuar dhe shtoi: "Njeriu pranë të cilit punova sot quhet Boaz".20 Naomi i tha nuses: "Qoftë i bekuar nga Zoti ai që nuk e ka hequr mirësinë e tij nga të gjallët dhe të vdekurit". Dhe shtoi: "Ky njeri është një i afërti ynë i ngushtë, një njeri që ka të drejtë të na shpengojë".21 Atëherë Ruthi, Moabitja, tha: "Më tha edhe: "Rri me shërbëtorët e mi, deri sa të kenë mbaruar korrjen time"".22 Naomi i tha Ruthit, nuses së saj: "E mira është që ti të shkosh, bija ime, me shërbëtoret e tij dhe mos të të gjejnë në një arë tjetër".23 Kështu ajo mbeti duke mbledhur kallinj me shërbëtoret e Boazit deri në fund të korrjes së elbit dhe të grurit. Dhe banonte bashkë me të vjehrrën.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile