the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to learn more!
Read the Bible
Shqip Bible
Psalmet 74
1 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?2 Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.3 Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.4 Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.5 Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.6 Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.8 Kanë thënë në zemër të tyre: "T'i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.9 Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.
18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.