the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to join the effort!
Read the Bible
Shqip Bible
Psalmet 17
1 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.2 Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.3 Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.4 Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.5 Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.6 Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m'i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.7 Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8 Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,9 nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.