the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to join the effort!
Read the Bible
Shqip Bible
Fjalët e urta 28
1 I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan.
2 Për shkak të mëkatit të një vendi, shumë janë të parët e tij, por me një njeri me mend që ka dituri qëndrueshmëria e tij vazhdon gjatë.
3 Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë.
4 Ata që braktisin ligjin lëvdojnë të pabesët; por ata që zbatojnë ligjin i luftojnë ata.
5 Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë.
6 Më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur.
7 Kush zbaton ligjin është një bir me mend, por shoku i grykësve turpëron atin e tij.
8 Kush i shton pasuritë e tij me fajde dhe me fitime të padrejta, i mbledh për atë që i vjen keq për të varfërit.
9 Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.
10 Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën.
11 I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye.
12 Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen.
13 Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.
14 Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi.
15 Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur.
16 Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t'i zgjatur ditët e tij.
17 Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë!
18 Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas.
19 Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.
20 Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.
21 Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë.
22 Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.
23 Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë.
24 Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: "Nuk është mëkat", është shok i atij që shkatërron.
25 Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi.
26 Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.
27 Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime.
28 Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen.