Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
Take your personal ministry to the Next Level by helping StudyLight build churches and supporting pastors in Uganda.
Click here to join the effort!

Read the Bible

Shqip Bible

Numrat 27

1 Pastaj u afruan bijat e Tselofehadit, birit të Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, i familjeve të Manasit, birit të Jozefit; dhe këto janë emrat e bijave: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah,2 dhe ato u paraqitën para Moisiut, para priftit Eleazar, prijësve dhe tërë asamblesë në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe thanë:3 "Ati ynë vdiq në shkretëtirë, por nuk bënte pjesë në grupin e atyre që u mblodhën kundër Zotit, në grupin e Koreut, por vdiq për shkak të mëkatit të tij pa patur bij.4 Pse duhet të humbasë emri i atit tonë në mes të familjes së tij nga që nuk pati bij? Na jep, pra, një pronë në mes të vëllezërve të atit tonë".5 Atëherë Moisiu e shtroi rastin e tyre para Zotit.6 Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë:7 "Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t'u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t'u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre.8 Do t'u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t'u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t'ia kaloni bijës së tij.9 Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të tij.10 Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t'ua jepni vëllezërve të atit të tij.11 Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t'ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun.

12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit.13 Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt,14 sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit).

15 Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë:16 "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri17 që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t'i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari".18 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vërë dorën tënde mbi të;19 pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t'i japësh disa urdhra në prani të tyre,20 dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t'i bindet.21 Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja".22 Moisiu, pra, bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti; mori Jozueun dhe e paraqiti përpara priftit Eleazar dhe tërë asamblesë;23 pastaj vuri duart e tij mbi të dhe i dha urdhra ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile