Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
For 10¢ a day you can enjoy StudyLight.org ads
free while helping to build churches and support pastors in Uganda.
Click here to learn more!

Read the Bible

Shqip Bible

Luka 19

1 Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet;2 dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur.3 Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati.4 Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej.5 Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: ''Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde''.6 Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.7 Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: ''Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar''.8 Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ''Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t'ia kthej katërfish''.9 Dhe Jezusi i tha: ''Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.10 Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur''.

11 Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.12 Tha, pra: ''Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.13 Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".14 Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".15 Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t'i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.16 Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";17 dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".18 Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";19 dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".20 Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,21 sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".22 Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;23 përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".24 Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".25 Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".26 Unë po ju them se atij që ka, do t'i jepet; por atij që s'ka do t'i hiqet edhe ajo që ka.27 Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!"''.

28 Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.29 Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,30 duke u thënë: ''Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.31 Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?", u thoni atyre kështu: "Zoti ka nevojë"''.32 Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.33 Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: ''Përse po e zgjidhni kërriçin?''.34 Dhe ata thanë: ''Zoti ka nevojë''.35 Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.36 Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.37 Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,38 duke thënë: ''Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta''.39 Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: ''Mësues, qorto dishepujt e tu!''.40 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin''.

41 Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,42 duke thënë: ''Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.43 Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.44 Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s'do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar''.45 Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t'i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,46 duke u thënë atyre: ''Éshtë shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh"''.47 Çdo ditë ai mësonte në tempull. Dhe krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin.48 Dhe nuk arrinin dot të vendosnin çfarë të bënin; sepse gjithë populli e dëgjonte me vemendje të madhe.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile