Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
Take your personal ministry to the Next Level by helping StudyLight build churches and supporting pastors in Uganda.
Click here to join the effort!

Read the Bible

Shqip Bible

Gjyqtarët 6

1 Bijtë e Izraelit bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe Zotit i dha në duart e Madianit shtatë vjet me radhë.

2 Dora e Madianit u bë e fortë kundër Izraelit; nga frika e Madianitëve, bijtë e Izraelit bënë shpella në male, si dhe guva dhe fortesa.

3 Kur Izraeli mbaronte së mbjelluri, Madianitët bashkë me Amalekitët dhe bijtë e lindjes niseshin kundër tij,

4 e ngrinin kampin e tyre kundër Izraelitëve, shkatërronin të gjitha prodhimet e vendit deri në Gaza dhe nuk linin në Izrael as mjete jetese, as dhen, as lopë, as gomarë.

5 Sepse niseshin me bagëtinë e tyre dhe me çadrat e tyre, dhe arrinin të shumtë si karkalecat; ata dhe devetë e tyre ishin të panumërt dhe vinin në vend për ta shkatërruar.

6 Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të Madianit, dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit.

7 Kur bijtë e Izraelit e thirrën Zotin për shkak të Madianit,

8 Zoti u dërgoi bijve të Izraelit një profet, që u tha atyre: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë;

9 ju çlirova nga dora e Egjiptasve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin; i dëbova para jush dhe ju dhashë vendin e tyre,

10 dhe ju thashë: "Unë jam Zoti, Perëndia i juaj; mos kini frikë nga perënditë e Amorejve në vendin e të cilëve banoni"; por ju nuk ma keni dëgjuar fjalën".

11 Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, Abiezeritit, ndërsa biri tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga Madianitët.

12 Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!".

13 Gedeoni iu përgjegj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Madianit".

14 Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Madianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?".

15 Ai iu përgjegj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim".

16 Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur Madianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm".

17 Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua.

18 Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti".

19 Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi.

20 Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçët pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu.

21 Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçët pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçet pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij.

22 Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: "Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!".

23 Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s'ke për të vdekur!".

24 Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jehovah Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e Abiezeritëve.

25 Po atë natë Zoti i tha: "Merr demin e atit tënd dhe demin e dytë shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që i përket atit tënd, dhe rrëzo Asherahun që i qendron afër;

26 pastaj ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd, në majë të këtij shkëmbi simbas rregullit të caktuar; pastaj merr demin e dytë dhe ofroje si olokaust mbi lëndën e drurit të Asherahut që do të kesh rrëzuar".

27 Atëherë Gedeoni mori dhjetë burra në mes të shërbëtorëve të tij dhe veproi ashtu siç i kishte thënë Zoti; por me qenë se kishte frikë nga shtëpia e atit të tij dhe nga njerëzit e qytetit, në vend që ta bënte këtë punë ditën, e bëri natën.

28 Kur të nesërmen në mëngjes njerëzit e qytetit u ngritën, panë që altari i Baalit ishte shembur, që Asherahu që ndodhej pranë tij ishte rrëzuar dhe që demi i dytë ishte ofruar si olokaust mbi altarin që ishte ndërtuar.

29 Dhe i thanë njeri tjetrit: "Kush e bëri këtë?". Kur pastaj u informuan dhe pyetën, atyre u thanë: "Gedeoni, bir i Joashit, e bëri këtë".

30 Atëherë njerëzit e qytetit i thanë Joashit: "Nxirr jashtë birin tënd dhe të dënohet me vdekje se ka shembur altarin e Baalit dhe ka rrëzuar Asherahun që ndodhej pranë tij".

31 Joashi iu përgjegj të gjithë atyre që ishin ngritur kundër tij: "Ju doni ta mbroni çështjen e Baalit ose ta ndihmoni atë? Ai që do të kërkojë të mbrojë çështjen e tij do të vritet para mëngjesit të ditës së nesërme. Në rast se ai është zoti, le ta mbrojë vetë çështjen e tij, sepse i kanë shembur altarin e tij".

32 Prandaj atë ditë Gedeoni u mbiquajt Jerubaal, sepse u tha: "Le të jetë Baali që të luftojë kundër tij, sepse ai ia ka shembur atij altarin".

33 Tërë Madianitët, Amalekitët dhe bijtë e lindjes u mblodhën, kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në luginën e Jizreelit.

34 Por Fryma e Zotit depërtoi te Gedeoni që i ra borisë; dhe Abiezeritët u thirrën që t'i shkonin pas.

35 Ai dërgoi lajmëtarë edhe në tërë Manasin, i cili u thirr gjithashtu që t'i shkonte pas; dërgoi lajmëtarë edhe te fiset e Asherit, të Zabulonit dhe të Neftalit, të cilët u nisën për të takuar të tjerët.

36 Pastaj Gedeoni i tha Perëndisë: "Në rast se ke ndër mend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, siç ke thënë,

37 ja, unë do të vë një gëzof me lesh te lëmi: në rast se do të ketë vesë vetëm mbi gëzofin dhe gjithë vendi rreth e qark do të mbetet i thatë, atëherë do të kuptoj se ke ndërmend ta shpëtosh Izraelin me dorën time, ashtu si ke thënë".

38 Dhe kështu ndodhi. Të nesërmen në mëngjes Gedeoni u ngrit herët, shtrydhi gëzofin dhe prej tij doli një kupë plot me ujë.

39 Por Gedeoni i tha akoma Perëndisë: Mos u ndeztë zemërimi yt kundër meje; unë do të flas edhe një herë. Më lër ta bëj provën edhe një herë tjetër vetëm. Le të mbetet i thatë vetëm gëzofi dhe të ketë vesë mbi të gjithë vendin rreth e qark".

40 Dhe Perëndia veproi ashtu atë natë; vetëm gëzofi mbeti i thatë, dhe pati vesë mbi të gjithë tokën rreth e qark.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile