Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
For 10¢ a day you can enjoy StudyLight.org ads
free while helping to build churches and support pastors in Uganda.
Click here to learn more!

Read the Bible

Shqip Bible

Jozueu 8

1 Pastaj Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë dhe mos u tmerro. Merr të gjithë luftëtarët e tu dhe nisu dhe sulmo Ain. Shiko, unë po të jap në dorë mbretin e Ait, popullin e tij, qytetin e tij dhe vendin e tij.2 Dhe do t'u bësh Ait dhe mbretit të tij ato që u ke bërë Jerikos dhe mbretit të tij; do të merrni për vete vetëm plaçkën dhe bagëtinë e tij. Zëri një pritë qytetit në pjesën e prapme të tij.

3 Kështu Jozueu dhe të gjithë luftëtarët e tij u ngritën më këmbë për të sulmuar Ain. Ai zgjodhi tridhjetë mijë njerëz, luftëtarë trima, dhe i nisi natën,4 duke u dhënë këtë urdhër: "Ja, ju do të rrini në pritë kundër qytetit, duke qëndruar prapa tij; mos u largoni shumë nga qyteti, por rrini gjithnjë në gatishmëri.5 Pastaj unë dhe tërë njerëzit që janë me mua do t'i afrohemi qytetit; dhe kur ata do të dalin kundër nesh si herën e parë, ne do të ikim para tyre.6 Ata do të dalin për të na ndjekur deri sa t'i kemi tërhequr larg qytetit, sepse do të thonë: "Ikin me vrap para nesh si herën e parë". Dhe, ndërsa ne do të ikim me vrap para tyre,7 ju do të dilni nga prita dhe do të pushtoni qytetin, sepse Zoti, Perëndia juaj, do ta japë në duart tuaja.8 Me ta pushtuar qytetin, do t'i vini flakën; do të bëni atë që ka urdhëruar Zoti. Kini mendjen, ky është urdhri që ju jap".9 Kështu Jozueu i nisi; ata shkuan në vendin e pritës dhe u ndalën midis Bethelit dhe Ait, në krahun perëndimor të Ait; por Jozueu mbeti atë natë në mes të popullit.

10 Jozueu u ngrit herët në mëngjes, kaloi në paradë popullin dhe u ngjit bashkë me pleqtë e Izraelit në krye të popullit kundër Ait.11 Tërë luftëtarët që ishin me të u ngjitën dhe u afruan; kështu arritën përballë qytetit dhe fushuan në veri të Ait. Midis tyre dhe Ait kishte një luginë.12 Atëherë ai mori rreth pesëmijë njerëz dhe i vuri në pritë midis Bethelit dhe Ait, në perëndim të qytetit.13 Pasi populli zuri pozicion, kampi qendror ishte në pritë në perëndim të qytetit, Jozueu atë natë përparoi në mes të luginës.14 Kur mbreti i Ait pa këtë gjë, njerëzit e qytetit u ngritën herët me ngut në mëngjes dhe dolën për të luftuar kundër Izraelit: mbreti dhe tërë populli i tij, në pozicionin e caktuar përballë Arabahut; por mbreti nuk e dinte që i kishin zënë pritë në pjesën prapa qytetit.15 Atëherë Jozueu dhe i tërë Izraeli, duke u shtirur sikur ishin mundur para tyre, ua mbathën këmbëve në drejtim të shkretëtirës.16 I tërë populli që ndodhej në qytet u thirr të mblidhej për t'i ndjekur; kështu e ndoqën Jozueun dhe shkuan larg qytetit.17 S'mbeti burrë në Ai dhe në Bethel pa dalë pas Izraelit. E lanë kështu qytetin të hapur dhe iu vunë pas Izraelit.

18 Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Shtrije shtizën që ke në dorë në drejtim të Ait, sepse unë do të ta dorëzoj në dorë". Dhe Jozueu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit.19 Me të shtrirë dorën, burrat që ishin në pritë u ngritën me të shpejtë nga vendi i tyre, hynë në qytet, e zunë dhe nxituan t'i vënë flakën.20 Kur njerëzit e Ait shikuan prapa, ja, ata panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell; dhe nuk patën asnjë mundësi të iknin as nga një anë, as nga ana tjetër, sepse populli që ikte me vrap në drejtim të shkretëtirës u kthye kundër atyre që e ndiqnin.21 Kështu, kur Jozueu dhe i tërë Izraeli panë që njerëzit e pritës e kishin pushtuar qytetin dhe që tymi i tij ngrihej lart, u kthyen prapa dhe mundën njerëzit e Ait.22 Edhe të tjerët dolën nga qyteti kundër tyre; kështu ata të Ait u gjendën të zënë në kurth në mes të forcave të Izraelit, duke pasur nga një anë njërën palë, nga ana tjetër palën tjetër; dhe i mundën deri sa nuk mbeti asnjë i gjallë apo ikanak.

23 Por mbretin e Ait e zunë të gjallë dhe e çuan tek Jozueu.24 Kur Izraeli mbaroi së vrari tërë banorët e Ait në fushë dhe në shkretëtirë ku ata e kishin ndjekur, dhe u therën të gjithë deri sa u shfarosën të tërë, gjithë Izraeli u kthye në drejtim të Ait dhe i ra me shpatë.25 Tërë ata që u vranë atë ditë, burra dhe gra, ishin dymbëdhjetë mijë veta, të gjithë banorë të Ait.26 Jozueu nuk e uli dorën që mbante shtizën, deri sa i shfarosi të gjithë banorët e Ait.27 Izraeli mori për vete vetëm bagëtinë dhe plaçkën e atij qyteti, simbas urdhrit që Zoti i kishte dhënë Jozueut.28 Kështu Jozueu i vuri flakën Ait dhe e katandisi në një grumbull gërmadhash për gjithnjë, një vend të shkretuar deri ditën e sotme.29 Pastaj e vari mbretin e Ait në një dru dhe e la atje deri në mbrëmje; në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi që kufoma e tij të ulej nga druri, të hidhej në hyrje të portës së qytetit dhe mblodhën mbi të një numër të madh gurësh, që shihen edhe sot.

30 Atëherë Jozueu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal,31 ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, u kishte urdhëruar bijve të Izraelit, siç shkruhet në librin e ligjit të Moisiut, u ngrit një altar gurësh të palatuar mbi të cilët askush nuk kish kaluar, ndonjë vegël të hekurt; pastaj mbi të bënë olokauste për Zotin dhe flijime falënderimi.32 Aty Jozueu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit, që Moisiu pati shkruar në prani të bijve të Izraelit.33 I tërë Izraeli, si të huajt ashtu edhe ata që kishin lindur izraelitë, pleqtë, oficerët dhe gjykatësit e tij, rrinin më këmbë në të dyja anët e arkës, përballë priftërinjve levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar më parë, për të bekuar popullin e Izraelit.34 Pas kësaj, Jozueu lexoi tërë fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, ashtu si shkruhet në librin e ligjit.35 Nga të gjitha ato që kishte urdhëruar Moisiu, Jozueu nuk la pa lexuar asnjë fjalë përpara gjithë asamblesë së Izraelit, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe të huajt që banonin në mes tyre.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile