Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
Tired of seeing ads while studying? Now you can enjoy an "Ads Free" version of the site for as little as 10¢ a day and support a great cause!
Click here to learn more!

Read the Bible

Shqip Bible

Jozueu 14

1 Këto janë territoret që bijtë e Izraelit morën si trashëgimi në vendin e Kanaanit, dhe që prifti Eleazar, Jozueu, bir i Nunit, dhe kryetarët e familjeve të fiseve të bijve të Izraelit u ndanë atyreve si trashëgimi.2 Trashëgimia e tyre u vendos me short, ashtu si u kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut nëntë fiseve dhe gjysmës së fisit,3 sepse dy fiseve të tjera dhe gjysmës së fisit, Moisiu u kishte dhënë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit; por nuk u kishte dhënë asnjë trashëgimi Levitëve,4 sepse bijtë e Jozefit formonin dy fise, atë të Manasit dhe atë të Efraimit; Levitëve nuk iu dha asnjë pjesë në vend, por vetëm disa qytete për të banuar bashkë me kullota për bagëtinë e tyre dhe pasuritë që kishin.5 Bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun dhe e ndanë vendin.

6 Atëherë bijtë e Judës u paraqitën para Jozueut në Gilgal; dhe Kalebi, bir i Jefunehut, Kenizeu, i tha: "Ti e di atë që Zoti i tha Moisiut, njeriut të Perëndisë, lidhur me mua dhe me ty në Kadesh-Barnea.7 Unë isha dyzet vjeç kur Moisiu, shërbëtori i Zotit, më dërgoi në Kadesh-Barnea për të vëzhguar vendin; unë i paraqita një raport ashtu si ma thoshte zemra.8 Ndërsa vëllezërit e mi që kishin ardhur me mua e shkurajuan popullin, unë ndoqa plotësisht Zotin, Perëndinë tim.9 Atë ditë Moisiu bëri këtë betim: "Toka që ke shkelur me këmbë do të jetë trashëgimia jote dhe e bijve të tu për gjithnjë, sepse ke ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë tim".10 Dhe ja, tani Zoti më ka ruajtur të gjallë, siç e kishte thënë, këto dyzet e pesë vjet që kur Zoti i tha këto fjalë Moisiut, ndërsa Izraeli endej nëpër shkretëtirë; dhe ja, sot u bëra tetëdhjetë e pesë vjeç.11 Por sot jam akoma i fortë si ditën që Moisiu më nisi; po atë fuqi që kisha atëherë e kam edhe tani, qoftë për të luftuar, qoftë për të shkuar dhe për të ardhur.12 Prandaj ma jep këtë mal për të cilin foli Zoti atë ditë; sepse ti vetë e dëgjove atë ditë që aty ishin Anakimët dhe kishte qytete të mëdha dhe të fortifikuara. Në rast se Zoti do të jetë me mua, unë do t'i dëboj, ashtu si ka thënë Zoti".13 Atëherë Jozueu e bekoi dhe i dha si trashëgimi Hebronin Kalebit, djalit të Jefunehut.14 Për këtë arësye Hebroni ka mbetur pronë e Kalebit, birit të Jefunehut, Kenizeu, deri në ditën e sotme, sepse ai ka ndjekur plotësisht Zotin, Perëndinë e Izraelit.15 Më parë Hebroni quhej Kirjath-Arba, Arba pati qenë njeriu më i madh në radhët e Anakimëve. Dhe vendi nuk pati më luftë.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile