Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
For 10¢ a day you can enjoy StudyLight.org ads
free while helping to build churches and support pastors in Uganda.
Click here to learn more!

Read the Bible

Shqip Bible

Jeremia 13

1 Kështu më ka thënë Zoti: "Shko të më blesh një brez prej liri dhe vëre mbi ijët e tua, por mos e zhyt në ujë".2 Kështu unë bleva brezin, sipas fjalëve të Zotit dhe e vura mbi ijët e mia.3 Pastaj fjala e Zotit m'u drejtua për herë të dytë, duke thënë:4 "Merr brezin që ke blerë dhe që e ke mbi ijët e tua, çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe aty fshihe në të çarën e një shkëmbi".5 Unë shkova dhe e fsheha pranë Eufratit, ashtu si më kishte porositur Zoti.6 Mbas shumë ditësh ndodhi që Zoti më tha: "Çohu, shko në drejtim të Eufratit dhe merr aty brezin që të kisha urdhëruar të fshihje".7 Unë shkova në drejtim të Eufratit, gërmova dhe mora brezin nga vendi ku e kisha fshehur. Por brezi ishte kalbur dhe nuk vlente më për asgjë.8 Atëherë Zoti më drejtoi fjalën, duke thënë:9 "Kështu thotë Zoti: "Në këtë mënyrë unë do të shkatërroj kryelartësinë e Judës dhe kryelartësinë e madhe të Jeruzalemit.10 Ky popull i keq, që nuk pranon të dëgjojë fjalët e mia, që ecën kryelartë sipas zemrës së tij dhe u shkon pas perëndive të tjera për tu shërbyer dhe për të rënë përmbys para tyre, do të bëhet si ky brez që nuk vlen më për asgjë.11 sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës", thotë Zoti, me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmin tim, por nuk deshën të më dëgjojnë"".

12 "Prandaj ti do t'u thuash atyre këtë fjalë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Çdo poç do të mbushet me verë". Në rast se më vonë do të të thonë: "A nuk e dimë vallë që çdo poç mbushet me verë?",13 ti do t'u përgjigjesh atyre: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do t'i deh tërë banorët e këtij vendi: mbretërit që ulen në fronin e Davidit, priftërinjtë, profetët dhe tërë banorët e Jeruzalemit.14 Do t'i copëtoj njërin kundër tjetrit, etërit dhe bijtë së bashku"", thotë Zoti. "Nuk do të kem mëshirë, nuk do t'i fal, nuk do të kem asnjë dhembshuri që të më pengojë t'i shkatërroj".15 Dëgjoni dhe vini veshin: Mos t'ju rritet mendja, sepse Zoti foli.16 I jepni lavdi Zotit, Perëndisë tuaj, para se të sjellë terrin dhe para se këmbët tuaja të pengohen në malet e mbështjella në muzg, sepse ndërsa ju prisni dritën, ai e ndërron në hije të vdekjes dhe e ndryshon në errësirë të thellë.17 Por në rast se nuk e dëgjoni këtë, shpirti im do të qajë në fshehtësi për shkak të kryelartësisë suaj, sytë e mi do të qajnë parreshtur dhe do të derdhin lot, sepse kopeja e Zotit do të çohet në robëri.18 Thuaji mbretit dhe mbretëreshës nënë: "Uluni më poshtë, sepse sundimi juaj, kurora e lavdisë suaj, do të bjerë poshtë".19 Qytetet e jugut janë të mbyllura dhe askush nuk do t'i hapë; tërë Juda është çuar në robëri, është çuar e tëra në robëri.20 Ngrini sytë tuaj dhe shikoni ata që vijnë nga veriu; ku është kopeja që të ishte besuar, delet e tua të bukura?21 Çfarë do të thuash kur të të ndëshkojë? Por ti vetë u ke mësuar atyre të jenë të parët dhe sunduesit e tu. A nuk do të të zënë dhembjet si një grua që është duke lindur?

22 Dhe në rast se do të thuash në zemrën tënde: "Përse më ndodhin këto gjëra?". Për shkak të përmasës së paudhësisë sate cepat e rrobës sate do të zbulohen dhe thembrat e tua do të duken lakuriq.23 A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?24 "Prandaj do t'i shpërndaj si byku që e merr era e shkretëtirës.25 Ky është fati yt, pjesa që mata për ty", thotë Zoti, "sepse më ke harruar dhe i ke besuar gënjeshtrës.26 Prandaj do të ngre edhe unë cepat e rrobës sime mbi fytyrë, në mënyrë që të duket turpi yt.27 Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate, gjërat e neveritshme të kryera në kodra dhe në fusha. Mjerë ti, o Jeruzalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë?".

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile