the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to join the effort!
Read the Bible
Shqip Bible
Isaia 49
1 Ishuj, dëgjomëni, dhe kushtojini kujdes, o popuj të largët. Zoti më ka thirrur që kur isha në bark të nënës, ka përmendur emrin tim që kur isha në të përbrëndëshmet e nënës sime.2 Ma bëri gojën si një shpatë të mprehtë, më ka fshehur në hijen e dorës së tij, më ka dhënë një shigjetë me majë, më ka futur në kukurën e tij.3 Më ka thënë: "Ti je shërbëtori im, Izrael, në të cilin do të përlëvdohem".4 Por unë thoja: "Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim".5 Dhe tani thotë Zoti që më ka formuar që në bark të nënës që të jem shërbëtori i tij, që t'i sjell atij përsëri Jakobin dhe që të mbledh rreth tij Izraelin (unë jam i nderuar në sytë e Zotit dhe Perëndia im është forca ime).6 Ai thotë: "Éshtë tepër pak që ti të jesh shërbëtori im për të lartuar përsëri fiset e Jakobit dhe për të kthyer ata që kanë shpëtuar nga Izraeli. Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës".
7 Kështu i thotë Zoti, Çliruesi i Izraelit, i Shenjti i tij, atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve: "Mbretërit do të shohin dhe do të ngrihen, princat do të8 Kështu thotë Zoti: "Në kohën e hirit unë ta kam plotësuar dëshirën dhe në ditën e shpëtimit të kam ndihmuar; do të të ruaj dhe do të të bëj aleancën e popullit, për ta ringjallur vendin, për të të shtënë në dorë trashëgimitë e shkatërruara,9 për t'u thënë robërve: "Dilni", dhe atyre që janë në terr: "Shfaquni". Ata do të kullosin gjatë rrugëve dhe në të gjitha lartësitë e braktisura do të kenë kullotat e tyre.10 Nuk do të kenë as uri as etje, nuk do të goditen më as nga vapa as nga dielli, sepse ai që ka mëshirë për ta do t'i udhëheqë dhe do t'i çojë te burimet e ujit.11 Do t'i ndryshoj tërë malet e mia në rrugë, dhe rrugët e mia kryesore do të ngrihen.12 Ja, këta vijnë nga larg; ja, ata nga veriu dhe nga lindja, dhe ata nga vendi i Sinimit".
13 Ngazëlloni, o qiej, gëzohu, o tokë, dhe lëshoni britma gëzimi, o male, sepse Zoti ngushëllon popullin e tij dhe i vjen keq për të pikëlluarit e tij.14 Por Sioni ka thënë: "Zoti më ka braktisur, Zoti më ka harruar".15 "A mundet një grua të harrojë foshnjen e gjirit dhe të mos i vijë keq për fëmijën e barkut të saj? Edhe sikur ato të të harrojnë, unë nuk do të harroj.16 Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia; muret e tua më rrinë gjithnjë para syve.17 Bijtë e tu do të shpejtojnë, shkatërruesit e tu dhe rrënuesit e tu do të largohen prej teje.
18 Ngrej sytë e tu rreth e qark dhe shiko. Të tërë ata po mblidhen dhe po të vijnë. Ashtu siç është e vërtetë që unë jetoj, thotë Zoti, do të vishesh me tërë ata si me një ornament dhe do t'i lidhësh mbi veten tënde, ashtu si bën nusja.19 Prandaj vendet e tua të shkreta dhe të pikëlluara dhe vendi yt i goditur një herë nga shkatërrimi do të jenë tani tepër të ngushtë për banorët, ndërsa ata që të gllabëronin do të jenë mjaft larg.20 Fëmijët që do të kesh pas atyre që ke humbur, do të të thonë në vesh: "Ky vend është tepër i ngushtë për mua; bëmë më tepër vend që të mund të vendosem".21 Atëherë ti do të thuash në zemrën tënde: "Kush i ka pjellë këta? Unë në fakt isha i privuar nga fëmijët e mi, isha shterpë e mërguar dhe e dëbuar sa këtej dhe andej. Këta kush i rriti? Ja, unë kisha mbetur vetëm, dhe këta ku ishin?"".22 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë do të ngre dorën time mbi kombet, do të ngre flamurin tim mbi popujt; atëherë do t'i sjellin bijtë e tu në krahë dhe vajzat e tua do t'i sjellin mbi supe.23 Mbretërit do të jenë baballarët tuaj birësues dhe mbretëreshat e tyre do të jenë tajat tuaja; ata do të bien përmbys para teje me fytyrën përtokë dhe do të lëpijnë pluhurin e këmbëve të tua; kështu do të mësosh që unë jam Zoti dhe ata që shpresojnë tek unë nuk do të turpërohen.
24 A do të mund t'i shkëputet vallë preja të fuqishmit apo të çlirohet i burgosuri që është i drejtë?".25 Po, kështu thotë Zoti: "Edhe i burgosuri do të çohet tutje dhe preja e tiranit do të shpëtohet. Unë vetë do të luftoj me atë që lufton me ty dhe do të shpëtoj bijtë e tu.26 Do të bëj që shtypësit e tu të hanë mishin e vet, dhe do të dehen me gjakun e vet si të ishte musht. Atëherë çdo mish do të pranojë që unë, Zoti, jam Shpëtimtari yt, Çliruesi yt, i Fuqishmi i Jakobit".