the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
free while helping to build churches and support pastors in Uganda.
Click here to learn more!
Read the Bible
Shqip Bible
Zanafilla 43
1 Por zija ishte e madhe në vend;2 dhe kur mbaruan së ngrëni grurin që kishin sjellë nga Egjipti, i ati u tha atyre: "Kthehuni për të na blerë pak ushqime".3 Por Juda iu përgjegj duke thënë: "Ai njeri na ka paralajmëruar haptas duke thënë: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në qoftë se vëllai juaj nuk do të jetë me ju".4 Në qoftë se ti e nis vëllanë tonë me ne, ne do të zbresim dhe do të të blejmë ushqime;5 por në rast se nuk e nis, ne nuk kemi për të zbritur, sepse ai njeri na tha: "Nuk keni për ta parë fytyrën time, në rast se vëllai juaj nuk do të jetë me ju"".6 Atëherë Izraeli tha: "Pse më dhatë këtë dhembje duke i thënë atij njeriu që kishit edhe një vëlla?".7 Ata iu përgjigjën: "Ai njeri na pyeti me shumë kujdes për ne dhe farefisin tonë, duke thënë: "Gjallë është ende ati juaj? Keni ndonjë vëlla tjetër?". Dhe ne u përgjigjëm në bazë të këtyre pyetjeve të tij. Ku të na shkonte nga mendja që ai do të na thoshte: "Silleni këtu vëllanë tuaj"?".8 Pastaj Juda i tha Izraelit, atit të tij: "Lëre fëmijën të vijë me mua, dhe do të çohemi dhe do të shkojmë në mënyrë që të rrojmë dhe jo të vdesim, si ne ashtu dhe ti e të vegjëlit tanë.9 Unë bëhem garant për të; do t'i kërkosh llogari dorës sime për atë. Në rast se nuk e rikthej dhe nuk e vë para teje, do të jem fajtor para teje për gjithnjë.10 Po të mos ishim vonuar, në këtë orë do të ishim kthyer për të dytën herë".
11 Atëherë Izraeli, ati i tyre, u tha atyre: "Po të jetë ashtu, veproni në këtë mënyrë: merrni në trastat tuaja disa nga prodhimet më të mira të vendit dhe i çoni atij njeriu një dhuratë: pak balsam,12 Merrni me vete dyfishin e parave dhe kthejani paratë që ju vunë në grykën e trastave tuaja, ndofta ka qenë një gabim.13 Merrni edhe vëllanë tuaj, dhe çohuni dhe kthehuni tek ai njeri;14 dhe Perëndia i plotfuqishëm t'ju bëjë të gjeni hir para atij njeriu, kështu që ai të lirojë vëllanë tjetër tuajin dhe Beniaminin. Sa për mua, po të jetë se duhet të mbetem pa bijtë e mi, ashtu qoftë!".
15 Ata, pra, morën me vete dhuratën si dhe dyfishin e parave dhe Beniaminin; u ngritën dhe zbritën në Egjipt dhe u paraqitën para Jozefit.16 Kur Jozefi pa Beniaminin bashkë me ta, i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çoji këta njerëz në shtëpi, ther një kafshë dhe përgatit një banket, sepse ata do të hanë drekë bashkë me mua".17 Dhe ai bëri ashtu siç e urdhëroi Jozefi dhe i çoi në shtëpinë e Jozefit.18 Por ata u trembën, për shkak se i kishin çuar në shtëpi të Jozefit dhe thanë: "Na sollën këtu për shkak të atyre parave që na u vunë në trastat të parën herë, për të gjetur një shkas kundër nesh, për t'u sulur mbi ne dhe për të na zënë skllevër bashkë me gomarët tonë".19 Pasi iu afruan kryeshërbëtorit të shtëpisë së Jozefit, folën me të te dera e shtëpisë dhe thanë:20 "Zotëria im, ne zbritëm në të vërtetë herën e parë këtu për të blerë ushqime;21 dhe ndodhi që, kur arritëm në vendin ku kaluam natën, hapëm trastat dhe, ja, paratë e secilit prej nesh ndodheshin në grykë të trastës së vet; paratë tona me peshën e tyre të saktë; tani i kemi risjellë me vete.22 Dhe kemi sjellë me vete para të tjera për të blerë ushqime; ne nuk e dimë kush mund t'i ketë vënë paratë tona në trastat tona".23 Por ai tha: "Qetësohuni, mos u trembni: Perëndia juaj dhe Perëndia e atit tuaj ka vënë një thesar në trastat tuaja. Unë i pata paratë tuaja". Pastaj u solli Simeonin.24 Ai njeri i futi në shtëpinë e Jozefit, u dha ujë që të lanin këmbët dhe ushqim për gomarët e tyre.25 Atëherë ata përgatitën dhuratën, duke pritur që Jozefi të vinte në mesditë, sepse kishin dëgjuar që do të rrinin për të ngrënë në atë vend.
26 Kur Jozefi arriti në shtëpi, ata i paraqitën dhuratën që kishin sjellë me vete në shtëpi, dhe u përkulën para tij deri në tokë.27 Ai i pyeti si ishin dhe tha: "Ati juaj, për të cilin më keni folur, a është mirë? Éshtë ende gjallë?".28 Ata u përgjegjën: "Shërbëtori yt, ati ynë, është mirë; jeton ende". Dhe e nderuan duke u përkulur.29 Pastaj Jozefi ngriti sytë, pa vëllanë e tij Beniaminin, bir i nënës së tij, dhe tha: "Ky është vëllai juaj më i vogël për të cilin më folët?". Dhe shtoi: "Perëndia të ndihmoftë, biri im!".30 Atëherë Jozefi nxitoi të dalë jashtë, sepse ishte mallëngjyer thellë për shkak të vëllait të tij, dhe kërkonte vend ku të qante. Hyri kështu në dhomën e tij dhe aty qau.31 Pastaj lau fytyrën dhe doli; dhe duke i dhënë zemër vetes, tha: "Shtrojeni drekën".32 Dreka u shtrua veçmas për të, veçmas për ata dhe për Egjiptasit që hanin veçmas nga ai, sepse Egjiptasit nuk mund të hanin bashkë me Hebrejtë; kjo do të ishte një gjë e neveritshme për Egjiptasit.33 Kështu ata u ulën përpara tij: i parëlinduri simbas së drejtës së tij të parëbirnisë dhe më i riu simbas moshës së tij; dhe e shikonin njëri-tjetrin me habi.34 Dhe Jozefi urdhëroi që t'u sillnin racione nga tryeza e vet; por racioni i Beniaminit ishte pesë herë më i madh nga ai i secilit prej tyre. Dhe pinë dhe u gëzuan me të.