Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
StudyLight.org has pledged to help build churches in Uganda. Help us with that pledge and support pastors in the heart of Africa.
Click here to join the effort!

Read the Bible

Shqip Bible

Veprat e Apostujve 7

1 Atëherë kryeprifti i tha: ''A janë këto gjëra pikërisht kështu?''.2 Ai tha: ''Vëllezër dhe etër, dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq Abrahamit, atit tonë, kur ai ishte në Mesopotami, përpara se të banonte në Haran,3 dhe i tha: "Dil prej vendit tënd e prej farefisit tënd dhe shko në vendin që unë do të të tregoj".4 Atëherë ai doli nga vendi i Kaldeasve dhe banoi në Haran; prej andej, mbasi i vdiq i ati, Perëndia e bëri të vijë në këtë vend, ku banoni ju tani.5 Ai nuk i dha kurrfarë trashëgimie, as edhe vend për të vënë një këmbë. Por i premtoi t'ia japë për pronë atij dhe pasardhësve të tij, pas tij, kur ai ende s'kishte asnjë fëmijë.6 Dhe Perëndia foli kështu: "Pasardhësit e tij do të banonin si të huaj në një vend të huaj, dhe atje do të mbaheshin në skllavëri dhe do të të keqtrajtoheshin për katërqind vjet.7 Por Perëndia shtoi: "Unë do ta gjykoj atë komb të cilit ata do t'i shërbejnë; dhe pas kësaj ata do të dalin dhe do të më shërbejnë në këtë vend".8 Pastaj i dha atij besëlidhjen e rrethprerjes. Dhe kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu të tetën ditë; Isakut i lindi Jakobi, dhe Jakobit dymbëdhjetë patriarkë.9 Patriarkët, duke pasur smirë Jozefin, e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të;10 dhe e shpëtoi nga të gjitha mundimet e tij dhe i dha hir e urtësi para Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij.11 Por ra një zi buke dhe u bë një shtrëngesë në gjithë vendin e Egjiptit dhe të Kanaanit, dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime.12 Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë.13 Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit.14 Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta.15 Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë.16 Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit.

17 Por, ndërsa po afrohej koha e premtimit që Perëndia i ishte betuar Abrahamit, populli u shtua dhe u shumua në Egjipt,18 derisa doli në Egjipt një mbret tjetër që nuk e kishte njohur Jozefin.19 Ky, duke vepruar me ligësi kundër skotës sonë, i keqtrajtoi etërit tanë deri sa t'i ekspozojnë foshnjat e tyre, që të mos mbeteshin gjallë.20 Në atë kohë lindi Moisiu, dhe ishte i bukur në sytë e Perëndisë; ai u ushqye për tre muaj në shtëpinë e të atit.21 Dhe kur u ekspozua, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si birin e vet.22 Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra.23 Po kur arriti në moshën dyzet vjeçare, i erdhi në zemër të shkojë e të vizitojë vë-llezërit e tij: bijtë e Izraelit.24 Kur pa se dikujt po i bëhej një padrejtësi, e mbrojti dhe ia mori hakun të shtypurit, duke vrarë Egjiptasin.25 Dhe ai mendonte se vëllezërit e tij do ta kuptonin se Perëndia do t'u jepte çlirimin me anë të tij, por ata nuk e kuptuan.26 Të nesërmen ai u duk në mes tyre, ndërsa po ziheshin dhe i këshilloi për paqe, duke thënë: "O burra, ju jeni vëllezër, pse ia bëni me të padrejtë njëri-tjetrit?".27 Por ai që ia bënte me të padrejtë fqinjit të vete shtyu, duke thënë: "Kush të ka vënë ty të parë dhe gjykatës mbi ne?28 Don të më vrasësh mua, ashtu si vrare dje Egjiptasin?".29 Për shkak të këtyre fjalëve Moisiu iku dhe banoi si i huaj në vendin e Madianit, ku i lindën dy bij.

30 Si kaluan dyzet vjet, engjëlli i Zotit iu shfaq në shkretëtirën e malit Sinai, në flakën e zjarrit të një ferrishteje.31 Kur e pa, Moisiu mbeti i habitur nga sa shihte; dhe, kur po afrohej për të vërejtur, dëgjoi zërin e Zotit,32 që thoshte: "Unë jam Perëndia e etërve të tu, Perëndia e Abrahamit, Perëndia e Isakut dhe Perëndia e Jakobit". Por Moisiu, që dridhej i tëri, nuk guxonte të shikonte.33 Atëherë Perëndia i tha: "Hiqi sandalet nga këmbët e tua, sepse vendi ku ti po qëndron është tokë e shenjtë.34 Unë e kam parë qartë pikëllimin e popullit tim në Egjipt dhe i dëgjova psherëtimat e tyre, dhe kam zbritur për t'i çliruar; tani, pra, eja, unë do të të dërgoj në Egjipt!".35 Atë Moisiun që e kishin refuzuar, duke thënë: "Kush të vuri ty të parë dhe gjykatës?", po atë u dërgoi Perëndia si kryetar dhe çlirues me anë të engjëllit që i ishte shfaqur në ferrishte.36 Ai i nxori jashtë, duke kryer shenja e mrekulli në vendin e Egjiptit, në Detin e Kuq dhe në shkretirë për dyzet vjet.37 Ky është ai Moisi që u tha bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia juaj do të nxjerrë për ju, nga mesi i vëllezërve tuaj, një profet si mua. Dëgjojeni!".38 Ky është ai që në kuvend, në shkretëtirë, ishte me engjëllin që i fliste mbi malin Sinai dhe me etërit tanë; dhe mori fjalët e jetës për të na e përçuar neve.39 Etërit tanë nuk deshën t'i binden atij; madje e hodhën poshtë dhe me zemrat e tyre u kthyen nga Egjipti,40 duke i thënë Aaronit: "Na bëj disa perëndi që të na prijnë, sepse nuk dimë ç'i ka ndodhur këtij Moisiu që na nxori nga vendi i Egjiptit".41 Dhe në ato ditë ata bënë një viç, i ofruan flijim idhullit dhe u gëzuan me veprën e duarve të tyre.

42 Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t'i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: "O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe olokauste për dyzet vjet në shkretëtirë?43 Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, imaxhe që i bëtë vetë për t'i adhuruar; për këtë arsye unë do t'ju shpërngul përtej Babilonisë".44 Etërit tuaj në shkretëtirë kishin tabernakullin e dëshmisë, ashtu siç kishte urdhëruar ai që i pati thënë Moisiut ta bëjë sipas modelit që kishte parë.45 Dhe etërit tanë, pasi e morën, e mbartën me Jozueun në vendin që e kishin pushtuar johebrenjtë, të cilët Perëndia i dëboi para etërve tanë; dhe aty qëndroi deri në ditët e Davidit,46 i cili gjeti hir përpara Perëndisë dhe kërkoi të mund të gjente një banesë për Perëndinë e Jakobit.47 Por qe Salomoni ai që ia ndërtoi një shtëpi.48 Por Shumë i Larti nuk banon në tempuj të ndërtuar nga dora e njeriut, sikurse thotë profeti:49 ''Qielli është froni im dhe toka stoli i këmbëve të mia; çfarë shtëpie do të më ndërtonit ju, thotë Zoti, ose cili do të qe vendi i pushimit tim?50 A nuk i bëri të gjitha këto gjëra dora ime?''.

51 O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju.52 Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës;53 ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!''.

54 Kur i dëgjuan këto fjalë, ata thereshin në zemër të tyre dhe kërcëllonin dhëmbët kundër tij.55 Por ai, mbushur me Frymë të Shenjtë, i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë,56 dhe tha: ''Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë''.57 Por ata, duke lëshuar britma të forta, i zunë veshët dhe të gjithë tok u sulën mbi të;58 dhe, si e nxorën jashtë qytetit, e vranë me gurë. Dëshmitarët i vunë rrobat e tyre te këmbët e një djaloshi, të quajtur Saul.59 Kështu e vranë me gurë Stefanin, që i thërriste Jezusit dhe thoshte: ''O Zoti Jezus, pranoje frymën time!''.60 Atëherë ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: ''O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!''. Dhe, si tha këtë, fjeti.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile