the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to join the effort!
Read the Bible
Shqip Bible
2 i Mbretërve 10
1 Ashabi kishte në Samari shtatëdhjetë bij. Jehu shkroi letra dhe ua dërgoi në Samari krerëve të qytetit, pleqve dhe tutorëve të bijve të Ashabit; në to thoshte:2 "Sa t'ju arrijë kjo letër, me qenë se keni me vete bijtë e zotit suaj dhe keni qerre dhe kuaj, një qytet të fortifikuar dhe armë,3 zgjidhni birin më të mirë dhe më të përshtatshëm të zotit suaj, vendoseni mbi fronin e atit të tij dhe luftoni për shtëpinë e zotit suaj".4 Por ata patën shumë frikë dhe thanë: "Ja, dy mbretër nuk mundën ta përballojnë; si mund ta përballojmë ne?".5 Prandaj prefekti i pallatit, qeveritari i qytetit, pleqtë dhe tutorët e bijve të Ashabit dërguan t'i thonë Jehut: "Ne jemi shërbëtorët e tu dhe do të bëjmë të gjitha ato që do të na urdhërosh; nuk do të zgjedhim asnjë mbret; bëj atë që të duket më e mirë".6 Atëherë ai u shkroi një letër të dytë, në të cilën thoshte: "Në rast se mbani anën time dhe doni t'i bindeni zërit tim, merrni kokat e atyre njerëzve, të bijve të zotit suaj dhe ejani tek unë në Jezreel, nesër në këtë orë". Bijtë e mbretit, gjithsej shtatëdhjetë, rrinin me fisnikët e qytetit, që i edukonin.7 Me të marrë letrën, ata morën bijtë e mbretit dhe i therën të shtatëdhjetët; pastaj i vunë në shporta kokat e tyre dhe ia çuan Jehut në Jezreel.8 Kështu erdhi një lajmëtar për t'i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "Kanë sjellë kokat e bijve të mbretit". Jehu u përgjigj: "Vendosini në dy grumbuj në hyrje të portës deri nesër në mëngjes".9 Të nesërmen ai doli dhe, duke qëndruar në këmbë, i tha tërë popullit: "Ju jeni të drejtë; ja, unë kam komplotuar kundër zotërisë sime dhe e kam vrarë; po kush i ka vrarë tërë këta?10 Pranoni, pra, që nuk ka rënë për tokë asnjë nga fjalët e Zotit që ky ka shqiptuar kundër shtëpisë të Ashabit; Zoti në të vërtetë ka kryer atë që kishte thënë me anë të shërbëtorit të tij Elia".11 Kështu Jehu bëri që të vdesin tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Jezreel, tërë të mëdhenjtë, miqtë dhe priftërinjtë e tij, pa lënë asnjë prej tyre.12 Pastaj u ngrit dhe shkoi në Samari. Gjatë rrugës, me të arritur në Beth-Eked,13 Jehu takoi vëllezërit e Ashaziahut, mbretit të Judës, dhe tha: "Kush jeni?". Ata u përgjigjën: "Jemi vëllezërit e Ashaziahut dhe po zbresim për të përshëndetur bijtë e mbretit dhe bijtë e mbretëreshës".14 Atëherë ai urdhëroi: "Kapini të gjallë!". Kështu i zunë të gjallë dhe i therën pranë pusit të Beth-Ekedit, gjithsej dyzet e dy veta; nuk kursyen as edhe një.
15 U nis që andej dhe gjeti Jehonadabin, birin e Rekabit, që iu kishte dalë para; e përshëndeti dhe i tha: "A është zemra jote e drejtë ashtu siç është imja ndaj teje?". Jehonadabi u përgjigj: "Éshtë".16 "Eja me mua dhe do të shohësh zellin tim për Zotin!". Pastaj e mori me vete në qerren e tij.17 Me të arritur në Samari, vrau tërë ata që kishin mbetur nga shtëpia e Ashabit në Samari, deri në shkatërimin e plotë të saj, sipas fjalës që Zoti i kishte thënë Elias.18 Pastaj Jehu mblodhi tërë popullin dhe i tha: "Ashabi i ka shërbyer pak Baalit, por Jehu do t'i shërbejë shumë më tepër.19 Tani thirri pranë meje tërë profetët e Baalit, tërë shërbëtorët dhe priftërinjtë e tij; të mos mungojë asnjë prej tyre, sepse duhet t'i bëj një flijim të madh Baalit; ai që do të mungojë, nuk do mbetet i gjallë". Por Jehu vepronte me mashtrim për të shkatërruar adhuruesit e Baalit.20 Pastaj Jehu urdhëroi: "Shpallni një festë solemne për nder të Baalit!". Festa u shpall.21 Pastaj Jehu dërgoi lajmëtarë nëpër gjithë Izraelin; kështu tërë adhuruesit e Baalit erdhën dhe nuk mungoi asnjë prej tyre; hynë në tempullin e Baalit dhe tempulli u mbush plot nga një anë në anën tjetër.22 Jehu i tha rojtarit të rrobave: "Nxirri jashtë rrobat për të gjithë adhuruesit e Baalit". Kështu ai i nxori rrobat për ta.23 Atëherë Jehu, bashkë me Jehonadabin, birin e Rekabit, hyri në tempullin e Baalit dhe u tha adhuruesve të Baalit: "Kërkoni mirë dhe shikoni që këtu të mos ketë asnjë shërbëtor të Zotit, por vetëm adhurues të Baalit".24 Kështu ata hynë për të ofruar flijime dhe olokauste. Jehu kishte vënë jashtë tempullit tetëdhjetë burra, të cilëve u kishte thënë: "Në rast se dikush lë të ikë një njeri të vetëm nga njerëzit që kam lënë në duart tuaja, do ta paguajë me jetën e tij jetën e atij që ka ikur".25 Kështu, sa mbaroi oferta e olokaustit, Jehu u dha këtë urdhër rojeve dhe kapitenëve: "Hyni, vritni dhe mos lini që asnjë t'ju ikë!". Prandaj ata i kaluan në majë të shpatës, pastaj rojet dhe kapitenët i hodhën jashtë dhe depërtuan në pjesën e brendshme të tempullit të Baalit;26 pastaj çuan jashtë shtyllat e shenjta të tempullit të Baalit dhe i dogjën.27 Pastaj shkatërruan statujën e Baalit dhe shembën tempullin e tij, duke e katansdisur në një vend ku grumbullohen plehrat e kështu mbetet edhe sot e kësaj dite.28 Kështu Jehu bëri që të zhduket Baali nga Izraeli;
29 megjithatë ai nuk u tërhoq nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, domethënë nga viçat e artë që ishin në Bethel dhe në Dan.30 Prandaj Zoti i tha Jehut: "Me qenë se ke vepruar mirë, duke bërë atë që është e drejtë në sytë e mi, dhe i ke bërë shtëpisë së Ashabit të gjitha atë që kisha në zemër, bijtë e tu do të ulen mbi fronin e Izraelit deri në brezin e katërt".31 Por Jehu nuk u kujdesua të ndiqte me gjithë zemër ligjin e Zotit, Perëndisë së Izraelit; në fakt ai nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, me të cilat e kishte bërë Izraelin të mëkatonte.32 Në atë kohë Zoti filloi t'i presë disa pjesë të Izraelit; në fakt Hazaeli i mundi Izraelitët gjatë gjithë kufirit të tyre:33 nga Jordani drejt lindjes, pushtoi tërë vendin e Galaadit, Gaditët, Rubenitët dhe Manasitët; nga Aroeri, që është afër përroit të Amonit, deri në Galaad dhe Bashan.34 Pjesa tjetër e bëmave të Jehut, tërë ato që bëri dhe të gjitha trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?35 Pastaj Jehun e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri Jehoahazi.36 Jehu mbretëroi mbi Izraelin në Samari njëzet e tetë vjet.