the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
free while helping to build churches and support pastors in Uganda.
Click here to learn more!
Read the Bible
Shqip Bible
2 e Korintasve 5
1 Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.2 Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshëruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore,3 nëse do të gjindemi të veshur e jo të zhveshur.4 Sepse ne që jemi në këtë çadër psherëtijmë duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam, pra, të na zhveshin, por të na veshin, që ç'është e vdekshme të përpihet nga jeta.5 Dhe ai që na ka formuar pikërisht për këtë është Perëndia, i cili na dha edhe kaparin e Frymës.6 Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit,7 sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.8 Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin.9 Prandaj edhe përpiqemi t'i pëlqejmë atij, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke e lënë atë.10 Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen.11 Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit dhe jemi njohur nga Perëndia; dhe unë shpresoj se edhe në ndërgjegjet tuaja të jemi njohur.
12 Sepse ne nuk e rekomandojmë përsëri veten ndaj jush, por ju japim rastin të krenoheni për ne, që të keni çfarë t'u përgjigjeni atyre që krenohen me dukjen dhe jo me zemër.13 Sepse, nëse nuk jemi në vete, jemi për Perëndinë, dhe në qoftë se jemi me mend në kokë, jemi për ju.14 Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur;15 dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.
16 Prandaj tash e tutje ne nuk njohim më askënd sipas mishit; po, edhe sikur ta kemi njohur Krishtin sipas mishit, nuk e njohim më ashtu.17 Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.18 Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin i pajtimit,19 sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit.20 Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë!21 Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.