Lectionary Calendar
Sunday, November 24th, 2024
the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Attention!
StudyLight.org has pledged to help build churches in Uganda. Help us with that pledge and support pastors in the heart of Africa.
Click here to join the effort!

Read the Bible

Shqip Bible

2 i Kronikave 34

1 Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tridhjetë e një vjet në Jeruzalem.2 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e Davidit, atit të tij, pa u shmangur as në të djathtë as në të majtë.3 Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, kur ende ishte djalosh, filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi ta pastrojë Judën dhe Jeruzalemin nga vendet e larta, nga Asherimët, nga shëmbëlltyrat e gdhendura dhe nga shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë.4 Para tij u shembën altaret e Baalit; përveç tyre shembi altaret e temjanit që ishin mbi ta, bëri copë-copë Asherimët, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë dhe i bëri pluhur, të cilin e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin ofruar flijime.5 Pastaj dogji kockat e priftërinjve mbi altaret e tyre, dhe kështu pastroi Judën dhe Jeruzalemin.6 Të njëjtën gjë bëri në qytetet e Manasit, të Efraimit dhe të Simeonit deri në Neftali, me sëpatat e tyre rreth e qark.7 Kështu ai shkatërroi altarët dhe Asherimët, i bëri pluhur shëmbëlltyrat e gdhendura dhe rrëzoi tërë altarët e temjanit në gjithë vendin e Izraelit, pastaj u kthye në Jeruzalem.

8 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbasi pastroi vendin dhe tempullin, dërgoi Shafanin, birin e Atsaliahut, Maasejahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, birin e Joahazit, arkivistin,9 Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe dorëzuan paratë që kishin sjellë në shtëpinë e Perëndisë, që derëtarët Levitë kishin mbledhur nga Manasi, nga Efraimi dhe tërë pjesa tjetër e Izraelit, nga tërë Juda dhe Beniamini dhe nga banorët e Jeruzalemit.10 Pastaj ua dorëzuan punëtorëve të ngarkuar me mbikqyrjen e shtëpisë të Zotit, të cilët ua dhanë punëtorëve që punonin në shtëpinë e Zotit për ta riparuar dhe për të restauruar tempullin.11 Ua dorëzuan marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe lëndë druri për armaturat dhe trarët e shtëpive që mbretërit e Judës kishin shkatërruar.12 Këta njerëz e bënin punën e tyre me besnikëri. Mbikqyrësit e tyre ishin Jahathi dhe Obadiahu, Levitë nga bijtë e Merarit, dhe Zakaria dhe Meshullami nga bijtë e Kehathit, dhe tërë Levitët që ishin specialistë të veglave muzikore.13 Këta mbikqyrnin gjithashtu mbartësit e peshave dhe drejtonin tërë ata që kryenin punime të çfarëdo lloji; përveç kësaj, disa Levitë ishin shkrues, inspektorë dhe derëtarë.

14 Ndërsa po tërhiqeshin paratë që ishin çuar në shtëpinë e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut.15 Atëherë Hilkiahu e mori fjalën dhe i tha sekretarit Shafan: "Kam gjetur në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit.16 Shafani ia çoi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: "Shërbëtorët e tu po bëjnë atë që u është urdhëruar të bëjnë.17 Kanë mbledhur paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit dhe i kanë dorëzuar në duart e mbikqyrësve dhe të punëtorëve".18 Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më dha një libër". Pastaj Shafani e lexoi në prani të mbretit.19 Por ndodhi që, kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e trupit.20 Pastaj mbreti i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, sekretarit, dhe Asajahut, shërbëtorit të mbretit, duke thënë:21 "Shkoni të konsultoheni Zotin për mua dhe për ata që kanë mbetur në Izrael dhe në Judë, lidhur me fjalët e Librit që u gjet; i madh, pra, është zemërimi i Zotit që ra mbi ne, sepse etërit tanë nuk kanë ndjekur fjalën e Zotit, duke vepruar plotësisht sipas asaj që është shkruar në këtë libër".22 Kështu Hilkiahu dhe ata që mbreti kishte caktuar shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shallumit, birit të Tokhathit, bir i Hasrathit, ruajtësi i rrobave; (ajo banonte në Jeruzalem në lagjen e dytë), dhe i folën lidhur me këtë çështje.23 Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Njoftoni atë që ju ka dërguar tek unë:24 Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, të gjitha mallkimet që janë shkruar në librin, të cilin e kanë lexuar përpara mbretit të Judës.25 Duke qenë se më kanë braktisur dhe u kanë ofruar temjan perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim me të gjitha veprat e duarve të tyre, zemërimi im do të bjerë mbi këtë vend dhe nuk do të shuhet".26 Ndërsa mbretit të Judës që ju ka dërguar të këshilloheni me Zotin, njoftojini sa vijon: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ke dëgjuar:27 "Duke qenë se zemra jote është mallëngjyer, sepse je përulur përpara Perëndisë duke dëgjuar fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, je përulur para meje, ke grisur rrobat e tua dhe ke qarë para meje, edhe unë të dëgjova", thotë Zoti.28 "Ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu, dhe do të të shtien në paqe në varrin tënd; sytë e tu nuk do të shohin tërë të keqen që unë do t'i sjell këtij vendi dhe banorëve të tij"". Ata ia njoftuan mesazhin mbretit.

29 Atëherë mbreti urdhëroi të mblidhen pranë tij tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit.30 Pastaj mbreti u ngjit në shtëpinë e Zotit me të gjithë burrat e Judës, me të gjithë banorët e Jeruzalemit, me priftërinjtë, me Levitët dhe me tërë popullin, nga më i vogli gjer te më i madhi, dhe këndoi në prani të tyre të gjitha fjalët e librit të besëlidjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit.31 Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, bëri një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndjekë Zotin, të zbatojë urdhërimet e tij, porositë e tij dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të vënë në praktikë fjalët e besëlidhjes së shkruar në atë libër.32 Dhe bëri që të përfshihen besëlidhje tërë ata që ndodheshin në Jeruzalem dhe në Beniamin; banorët e Jeruzalemit vepruan sipas besëlidhjes së Perëndisë, Perëndisë të etërve të tyre.33 Kështu Josia zhduku tërë gjërat e neveritshme nga të gjitha vendet që u përkisnin bijve të Izraelit dhe i detyroi tërë ata që ishin në Izrael t'i shërbenin Zotit, Perëndisë të tyre. Gjatë gjithë jetës së tij ata nuk hoqën dorë së ndjekuri Zotin, Perëdinë e etërve të tyre.

 
adsfree-icon
Ads FreeProfile