the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to join the effort!
Read the Bible
Shqip Bible
1 i Samuelit 9
1 Kishte një njeri të Beniaminit, që quhej Kish, ishte bir i Abielit, bir i Tserorit, bir i Bekorathit, bir i Afiahut, bir i një Beniaminiti, një njeri i fortë dhe trim.2 Ai kishte një djalë të quajtur Saul, i ri dhe i bukur, ndër bijtë e Izraelit nuk kishte asnjë më të bukur se ai; që nga supet e lart, ai ua kalonte, për shtat, gjithë njerëzve të tjerë.
3 Gomarët e Kishit, atit të Saulit, kishin humbur; Kishi i tha të birit, Saulit: "merr me vete një nga shërbëtorët, çohu dhe shko të kërkosh gomarët".4 Kështu ai kaloi nëpër krahinën malore të Efraimit dhe përshkoi vendin e Shalishas, pa i gjetur; pastaj kaloi nëpër vendin e Shaalimit, por nuk ishin as aty; përshkuan pastaj vendin e Beniaminitëve, por nuk i gjetën as aty.5 Kur arritën në vendin e Tsufit, Sauli i tha shërbëtorit të tij që ishte me të: "Çohu, të kthehemi, që të mos ndodhë që im atë të heqë mendjen nga gomaret dhe të fillojë të shqetësohet për ne".6 Shëbëtori i tha: "Ja, në këtë qytet jeton një njeri i Perëndisë, që e nderojnë shumë; tërë ato që ai thotë, realizohen pa tjetër. Tani le të shkojmë atje; ndofta do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".7 Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Por ja, në qoftë se shkojmë, çfarë t'i çojmë njeriut të Perëndisë? Sepse buka e thasëve tanë ka mbaruar dhe nuk kemi asnjë dhuratë për t'i çuar njeriut të Perëndisë. Çfarë kemi me vete?".8 Dhe shërbëtori iu përgjegj Saulit, duke thënë: "Ja, unë kam në dorë një çerek sikli prej argjendi; do t'ia jap njeriut të Perëndisë dhe ai do të na tregojë rrugën që duhet të ndjekim".9 (Në të kaluarën në Izrael, kur dikush shkonte për t'u këshilluar me Perëndinë, thoshte: "Çohu të shkojmë te shikuesi", sepse profeti i sotëm në të kaluarën quhej shikues).10 Atëherë Sauli i tha shërbëtorit të tij: "Mirë e the. Çohu të shkojmë!". Dhe u drejtuan nga qyteti ku gjendej njeriu i Perëndisë.
11 Ndërsa merrnin të përpjetën që të çon në qytet, takuan rrugës dy vajza që kishin dalë për të mbushur ujë dhe i pyetën ato: "Këtu është shikuesi?".12 Ato u përgjigjën duke thënë: "Po, ja ku është pak përpara jush, nxitoni. Sot erdhi në qytet, sepse sot populli duhet të bëjë një flijim në vendin e lartë.13 Sa të hyni në qytet, do ta gjeni me siguri para se të ngjitet në vendin e lartë për të ngrënë. Populli nuk do të hajë deri sa ai të mbërrijë, sepse ai ka për të bekuar flijimin; pastaj të ftuarit do të fillojnë të hanë. Prandaj ngjituni lart, sepse tani do ta gjeni".14 Kështu u ngjitën në qytet; ndërsa ata hynin në qytet, Samueli dilte në drejtim të tyre për t'u ngjitur në vendin e lartë.15 Por një ditë para arritjes së Saulit, Zoti e kishte lajmëruar Samuelin duke thënë:16 "Nesër në këtë orë do të dërgoj një njeri nga vendi i Beniaminit, dhe ti do ta vajosësh si udhëheqës të popullit tim të Izraelit. Ai do ta shpëtojë popullin tim nga duart e Filistejve, sepse pashë mjerimin e popullit tim, sepse britmat e tij arritën deri tek unë".17 Kur Samueli pa Saulin, Zoti i tha: "Ky është njeriu për të cilin të fola; ai do të mbretërojë mbi popullin tim".
18 Pastaj Sauli iu afrua Samuelit në mes të portës dhe i tha: "Tregomë të lutem, ku është shtëpia e shikuesit".19 Samueli iu përgjegj Saulit dhe i tha: "Jam unë shikuesi. Ngjitu para meje në kodër; sot do të hani me mua. Nesër në mëngjes do të lë të shkosh dhe do të të tregoj tërë ato që ke në zemër.20 Përsa u përket gomarëve të tu që të kanë humbur tri ditë më parë, mos u mërzit se i kanë gjetur. E kujt i drejtohet gjithë dëshira e Izraelit, veçse ty dhe tërë shtëpisë së atit tënd?".21 Sauli, duke u përgjegjur, tha: "A nuk jam unë një Beniaminit, një nga fiset më të vogla të Izraelit? Dhe familja ime a nuk është, vallë më e vogla e gjithë familjeve të fisit të Beniaminit? Pse më flet, pra, në këtë mënyrë?".22 Atëherë Samueli mori Saulin dhe shërbëtorin e tij, i futi në sallë dhe i uli në krye të tryezës të të ftuarve që ishin rreth tridhjetë e pesë veta.23 Pastaj Samueli i tha gjellëbërësit: "Sill pjesën që të dhashë dhe për të cilën të thashë: "Vëre mënjanë"".24 Gjellëbërësi mori atëherë kofshën dhe atë që i ngjitej asaj, dhe ia vuri përpara Saulit. Pastaj Samueli tha: "Ja, ajo që u mbajt rezervë, u vu mënjanë për ty; haje se është ruajtur apostafat për ty kur ftova popullin". Kështu atë ditë Sauli hëngri bashkë me Samuelin.25 Pastaj zbritën nga vendi i lartë në qytet dhe Samueli foli me Saulin mbi taracë.26 Të nesërmen u ngritën herët, në të gdhirë. Samueli e thirri Saulin në taracë, duke i thënë: "Çohu, dhe unë do të lë të shkosh". Sauli u ngrit dhe që të dy, ai dhe Samueli, dolën jashtë.27 Kur zbritën në periferi të qytetit, Samueli i tha Saulit: "Thuaji shërbëtorit të kalojë para nesh dhe të shkojë përpara, por ti ndalu një çast, në mënyrë që të kem mundësi të të njoftoj fjalën e Perëndisë".