the Week of Christ the King / Proper 29 / Ordinary 34
Click here to learn more!
Read the Bible
Shqip Bible
1 i Kronikave 29
1 Pastaj mbreti David i tha tërë asamblesë: "Salomoni, biri im, i vetmi që Perëndia ka zgjedhur, është akoma i ri dhe i pa përvojë, ndërsa vepra është e madhe, sepse ky pallat nuk i është caktuar një njeriu, por Zotit Perëndi.2 Me të gjitha mundësitë e mia kam përgatitur për shtëpinë e Perëndisë tim ar për sendet prej ari, argjend për sendet prej argjendi, bronz për sendet prej bronzi, hekur për sendet prej hekuri, dru për sendet prej druri, gurë oniski dhe gurë për t'u ngallmuar, gurë brilanti dhe me ngjyra të ndryshme, lloj lloj gurësh të çmuar dhe mermer në një sasi të madhe.3 Përveç kësaj, duke qenë se e kam vendosur dashurinë time mbi shtëpinë e Perëndisë tim, përveç asaj që kam përgatitur për shtëpinë e shenjtërores, i dhuroj shtëpisë së Perëndisë tim thesarin tim personal prej ari dhe argjendi:4 tre mijë talenta ari, nga ari i Ofirit, dhe shtatë mijë talenta argjendi të kulluar për të veshur muret e shenjtërores,5 ari për sendet prej ari, argjendi për sendet prej argjendi dhe për të gjitha punimet që duhet të kryhen nga zejtarë të shkathët. Kush është sot i gatshëm ta mbushë dorën e tij për t'ia kushtuar Zotit?".6 Atëherë të parët e shtëpive atërore, krerët e fiseve të Izraelit, komandantët e mijëshëve dhe të qindëshëve, administratorët e punëve të mbretit bënë oferta vullnetare,7 dhe dhanë për punimin e shtëpisë së Perëndisë pesë mijë talenta ari, dhjetë mijë darika ari, dhjetë mijë talenta argjendi, tetëmbëdhjetë talenta prej bronzi dhe njëzqind mijë talenta prej hekuri.8 Kushdo që zotëronte gurë të çmuar, i dorëzoi në duart e Jehielit, Gershonitit, me qëllim që të hynin në thesarin e shtëpisë të Zotit.9 Populli u gëzua nga ofertat e tyre vullnetare, sepse i kishin bërë këto oferta Zotit me gjithë zemër; edhe mbreti David u gëzua shumë.
10 Kështu Davidi bekoi Zotin përpara tërë asamblesë dhe tha: "I bekuar je ti, o Zot, Perëndi i Izraelit, ati ynë, për gjithë amshimin.11 Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka.12 Nga ti vijnë pasuria dhe lavdia; ti sundon mbi gjithçka; në dorën tënde janë forca dhe fuqia, dhe ti ke fuqinë për të bërë të madh dhe për t'u dhënë forcë të gjithëve.13 Prandaj ne, o Perëndia ynë, të falenderojmë dhe kremtojmë emrin tënd të lavdishëm.14 Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.15 Sepse ne jemi të huaj dhe shtegtarë përpara teje ashtu si qenë etërit tanë. Ditët tona mbi tokë janë si një hije dhe nuk ka shpresë.16 O Zot, Perëndia ynë, tërë ky bollëk gjërash që kemi përgatitur për të të ndërtuar një tempull ty, në emrin tënd të shenjtë, vjen nga dora jote, është e tëra jotja.17 Unë e di, o Perëndia im, që ti provon zemrën dhe gëzohesh kur sheh sjelljen e drejtë. Prandaj në drejtësinë e zemrës sime të kam ofruar në mënyrë spontane tërë këto gjëra; dhe tani shoh me gëzim që populli yt, që është këtu i pranishëm, bën ofertat e tij në mënyrë spontane.18 O Zot, Perëndi i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, i etërve tanë, ruaj gjithnjë këto prirje dhe mendime në zemrën e popullit tënd dhe drejto zemrat e tyre nga ti;19 dhe jepi Salomonit, birit tim, një zemër të ndershme, që ai të respektojë urdhërimet, porositë dhe statutet e tua, që të bëjë tërë këto gjëra dhe të ndërtojë tempullin për të cilin kam bërë përgatitjet".20 Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë: "Tani bekoni Zotin, Perëndinë tuaj". Atëherë tërë asambleja bekoi Zotin, Perëndinë e etërve të tyre; u përkulën dhe ranë përmbys përpara Zotit dhe mbretit.21 Të nesërmen bënë flijime për Zotin dhe i ofruan olokauste: një mijë dema të vegjël, një mijë desh, një mijë qengja me libacionet përkatëse dhe flijime të shumta për tërë Izraelin.22 Atë ditë hëngrën dhe pinë me gëzim të madh para Zotit; dhe për herë të dytë e shpallën mbret Salomonin, birin e Davidit dhe e vajosën përpara Zotit që të ishte princ, dhe Tsadokun që të ishte prift.
23 Pastaj Salomoni u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij; ai pati mbarësi dhe tërë Izraeli iu bind.24 Gjithë krerët, trimat dhe tërë bijtë e mbretit David iu nënshtruan mbretit Salomon.25 Kështu Zoti e bëri shumë të madh Salomonin përpara tërë Izraelit dhe i dha një madhështi mbretërore që asnjë mbret para tij në Izrael nuk e kishte pasur kurrë.26 Davidi, bir i Isait, mbretëronte mbi tërë Izraelin.27 Ai mbretëroi dyzet vjet mbi Izraelin: shtatë vjet në Hebron dhe tridhjet e tre vjet në Jeuzalem.28 Vdiq shumë plak, i ngopur me ditë, me pasuri dhe lavdi. Në vend të tij mbretëroi i biri, Salomoni.29 Trimëritë e mbretit David, si të parat ashtu dhe të fundit, janë shkruar në librin e shikuesit Samuel, në librin e profetit Nathan dhe në librin e shikuesit Gad,30 me të gjitha ato gjëra që kanë të bëjnë me mbretërinë e tij, me fuqinë e tij dhe me të gjitha ngjarjet që i ndodhën atij, Izraelit dhe tërë mbretërive të vendeve të tjera.